Mes errësirës dhe dritës, mes freskisë dhe ngrohtësisë, mes frikës dhe shpresës, mes kotjes dhe kthjelljes. Një hap larg ngritjes. Një hedhje, që kërkon vetëm një ngritje me këmbëngulje e vendosmëri, dhe çohesh në këmbë. Me hapin e dytë, më lehtë. Secili hap, e më lehtë, më fortë e më kthjellët. Më zgjuar. Është ajo koha e bukur, që të ngjallë në shpirt shpresë, të begaton me fuqi morale. Të jep një forcë që të shtyn të lëvizësh përplot gjallëri. Është ai momenti kur errësira po çahet prej dritës, ngadalë, por shumë fuqishëm. Nuk i mbetet errësirës veçse të shkoqet, të tërhiqet.
Secila ditë, është e jotja. Është e jotja ajo ditë që ti e përjeton ende pa zbardhur ajo. Kur e pret duke ndodhur, duke u hapur. Ardhjen e saj prite, përjetoje ditë tënden. Kur ti zgjohesh para saj, me shkëputjen e errësirës prej dritës, me hapjen e syve, të dëgjimit, dhe me zgjimin e ndërgjegjes, pasi ishin të mbyllura, të pajeta.
Ora është frymëmarrja jote. Janë trokitjet e zemrës që mban në kraharor. Është jeta jote. Koha jote, që vazhdimisht është në lëvizje, është në ikje. Secila orë, e ti, duke kaluar në një orë tjetër, kohë tjetër. Duke u rritur, duke u vjetruar, duke u plakur.
Kërkoje betejën tënde të vërtetë. Ne zhvillojmë beteja të ndryshme e të shumta gjatë jetës sonë. Shumë prej atyre betejave ose janë beteja të kota ose janë beteja që nuk na përkasin neve.
Mos prit që të tjerët të besojnë atë që beson ti. Vazhdo, se vazhdimësia jote të paktën do t’i bëjë të ta lirojnë rrugën.
Çudia e këmbëngulësisë!
Copyright © 2024 Avni Tafili - All Rights Reserved.